Paqja dhe liria PDF Print E-mail
Written by jozef martini   
Sunday, 31 August 2008

Paqja dhe liria
Eugjen Merlika

Publikue ne albanovaonline me 11.3.2003


Paqja dhe liria

Eugjen Merlika



(Foto: Manifestim i Greenpeace ne Gjermani)

15 shkurti 2003 do të mbetet në historinë e këtij fillim mijëvjeçari si shprehja më e qartë e globalizimit të manifestimeve për një temë sa të rëndësishme aqë dhe të ndjeshme, siç është paqja. Për njëzet e katër orë rrjesht, duke filluar nga Australia e duke përfunduar në Nju Jork, dhjetra miljonë njerëz, në rradhë të pambarim, ecën duke sfiduar kushtet e motit për të pohuar, në mënyrë të dukëshme, dëshirën e tyre për paqe e protestën ndaj një sulmi të mundshëm ushtarak të SHBA ës kundër Irakut.
Galaktika e marshimit të madh të paqes përbëhej nga dhjetra firma shoqatash të ndryshme, nga njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme, madje dhe të bindjeve politike të ndryshme, por që gjenin një emërues të përbashkët në një element lidhës të fuqishëm, siç është një farë mosbesimi, që arrin deri në refuzim e aty këtu në urrejtje karshi SHBA ës, politikës së Administratës së saj e Presidentit Bush. Turmat oqeanike të 15 shkurtit, që përfaqësonin dhe shprehnin një pjesë të opinionit publik të globalizuar, në shumicën dërmuese të tyre njehsojnë istitucionet aktuale të Mbifuqisë, me të keqen që kërcënon sot paqen në botë. Ky mendim, ky opinion që mbart në vetvehte mbeturina të një të kaluare, të imprenjuar me ide shabllone të së majtës marksiste e katolike, likuidon me një lehtësi të çuditëshme e me një mungesë përgjegjësie motivet e vërteta të dyluftimit SHBA-Irak.



(Pacifisti Saddam Hussein,Wilem,prej Libération)

Duke patur si ide fikse paqen, të pashoqëruar me koncepte të tjera përbërëse të kuadrit shoqëror si liria, të drejtat e njeriut, siguria , rrezikohet të kalohet në një interpretim sipërfaqësor të ngjarjeve e, për pasojë, në përfundime të gabuara. E parë në këtë këndvështrim, ideja e paqes me çdo kusht, në çfarëdo rrethanash, kthehet në një demagogji që shërben për të fajsuar dikë e për të mbuluar diçka.
Para më shumë se gjashtëdhjetë vitesh, Hitleri, i bindur se do të fitonte luftën, deklaronte se do të siguronte paqen për njëmijë vjet. Ekuilibri i terrorit atomik i siguroi pjesës veriore të globit, për një gjysëm qindvjete, paqen e armatosur. Në eventualitetin, fatmirësisht të parealizuar, të paqes hitleriane ndofta nuk do të kishte patur luftëra për një kohë të gjatë, por banorët e Tokës do të kishin jetuar paqen e vdekjes, mbasi të gjithë do të kishin qënë skllevërit e nënështruar të rracës arjane gjermane e të “mendimit” të Hitlerit. Për një gjysmë shekulli, një pjesë e mirë e njerëzimit, ajo mbrapa “perdes së hekurt” jetoi në paqen e mendimit unik marksist-leninist, të terrorit të Shtetit shtypës e policor, të mungesës së lirive e të varfërisë. A ishte ajo lloj paqeje e mira sipërore, aspirata e popujve?
Për brezat që jetuan përvojën e komunizmit ajo ishte një luftë e përditëshme e individit skllav me Shtetin padron, një luftë në të cilën arma e vetme e qytetarit ishte heshtja e durimi deri në skajshmëri i arbitraritetit, padrejtësisë, i rrezikut të burgut, të interrnimit, të ekzekutimit. Ja pra pse koncepti i paqes, i shkëputur nga ai i lirisë dhe i demokracisë, është një gjë e mangët, një objekt strumentalizimi për qëllime politike, ekonomike, shoqërore të individëve, grupeve, partive, shteteve. Ajo kthehet në një thirrje të zbrazët, që shërben për të mbuluar egoizmin, frikën, mungesën e kurajos për të përballuar rreziqet, ndjenjën e rehatisë vetiake, të refuzimit të shqetësimeve e të ndyshimeve. Ajo paqë, e reklamuar me forcë në drejtim të një populli nën diktaturë, është një shuplakë, një tallje me aspiratën e atij populli për liri e demokraci. Ajo është një thirrje për të ruajtur gjëndjen ekzistuese, është një shprehje hipokrizie për solidaritet. Në fakt solidariteti i jepet jo popullit por regjimit që e shtyp atë ose vetvehtes, asaj pjese të shoqërive të botës së lirë që fut kokën në rërë si struci, për të mos parë në sy problemet e vërteta, mbasi i mungon dëshira dhe vullneti për t’u përballuar me to.
Do të kishte qenë me të vërtetë diçka madhështore që ata lumenj njerëzish, që protestuan në sheshet e shëtitoret e një pjese të planetit, të kishin vënë në tehun e thikës së protestës së tyre regjimet despotike që mbahen mbi krimet dhe dhunimin e lirive të qytetarëve të tyre. Ndërmjet tyre, një vënd të veçantë ze Sadam Hyseni, mbi ndërgjegjen e të cilit rëndojnë hijet e rreth një miljon viktimave të terrorit.
Paqja dhe liria, fatkeqësisht, nuk shkojnë gjithmonë krah për krah, jo gjithmonë çiftohen. Nga do të anonte peshorja nëse këto dy koncepte do të ishin para popujve objekt zgjedhjeje, në kohë të turbullta si këto që po kalojmë?
Paqe do të thotë jetë njerëzore që nuk kërcënohen nga bombat apo krismat e armëve, por që nën Sadamët janë vetëm një numura që i shërbejnë planeve të diktatorit, i cili në çdo çast mund t’i fshijë nga lista. Komunizmi , në shekullin që shkoi, mori më shumë jetë njerëzore se sa të gjitha luftërat e marra së bashku gjatë dy shekujve të fundit.
Liria me çdo kusht nuk përjashton luftën për t’a fituar atë dhe ve në llogari jetët e humbura, por ajo është tepër e çmuar, më e çmuar se vetë jeta. Jo më kot Danteja e vlerësonte kështu:” Liri, gja aq e shtrenjtë, sa e din vetëm ai që për te s’i dhimbset jeta.” e Petefi për te falte dhe dashurinë, që e kishte fituar me çmimin e jetës. Nuk është i rastit fakti që popujt e Lindjes ish komuniste nuk morën pjesë në manifestimet globale të 15 shkurtit.
Por jo rrallë është abuzuar mbi këto vlera, jo rrallë konceptet janë shtrembëruar për hir të interesave, janë kthyer përmbys. Revolucionet, në emër të lirisë e të barazisë, kanë mbjellë tokën me varreza e tiranët, në emër të paqes e të rendit, kanë vënë në pranga liritë e popujve të tyre. Sot është e nevojshme të gjejmë ekuilibrin e duhur, duke i pajtuar konceptet. Të mbrojmë paqen, por jo me kushtin e një statu quoje që do të mbante më këmbë despotët që kërcënojnë lirinë e sigurinë e botës së qytetëruar. Duhet të kemi kurajon për të mbrojtur lirinë dhe sigurinë e popujve të saj, duke përdorur dhe armët, nëse të gjtha rrugët e tjera nuk japin rezultat. Të mundohemi të globalizojmë demokracinë e respektin e njeriut e, mbi të gjitha, të gjejmë një gjuhë të përbashkët përballë rrezikut skajor terrorist, mbasi dhe ky bën pjesë në botën e globalizuar, e herët a vonë, nuk do të kufizohet vetëm me Amerikën apo Izraelin.

Shkurt 2003

 
< Prev   Next >