PDF Print E-mail
Written by jozef martini   
Tuesday, 28 October 2008

Kulla e Jakajve në rrjedhat e historise

Patrioti Ndue Jakaj viktimë e terrorit sllavokomunist ne Kosove gjate viteve 1945-1948

Tomë Mrijaj, New York

Duke udhëtuar në drejtim të Lugut të Drinit drejt katundit të Ranocit, para syve të vizitorit vendas apo të huaj, shpaloset një pamje piktoreske. Kulla e Jakajve në këtë krahinë, është një pikë strategjike dhe e lakmuar shpesh për pozicionin e saj të favorshëm gjegrafik.
Nga lartësia e saj mund të shikosh në qetësi një pjesë të madhe të Lugut të Drinit. Ajo që të tërheq për t’a kundruar me kujdes dhe ëndje peisazhin alpin dhe kullën historike ndërtuar mes maleve, është se një pjesë e tokave të reja bujqësore, janë të qendisura nga gjelbërimi, që dora e njerëzve të palodhur i ka kthyer këto shpate të thepisura në toka produktive pjellore.
Në pjesën lindore të kullës tipike shqiptare ndërtuar shumë dekada më parë me material guri të latuar, dikur gjendeshin lisat e gjatë, që i jepnin mjedisit gjeografik klimë të shëndetshme, me verë të nxehtë dhe dimër mbuluar nga dëbora deri me ardhjen e stinës së pranverës. Kurse në pjesën jugperëndimore trevën e rrethojnë tokat pjellore (arat) dhe një burim i vogël që quhet Ranavica, që vjen nga kodrat e Palevës dhe në katundin Zllakuqan ai bashkohet me lumin Drini i Bardhë.
Në këtë kodër me lartësi mesatare sot kulla hijeshon mes harlisjes së pemëve të gjata, që në tabanin e tyre janë të veshur me gjelberimin e kullotave alpine, ku blegërojnë bagëtitë e imta të banorëve të katundit të Ranocit.
Kjo kullë në shekullin e kaluar, ka qenë dëshmitare e pandërprerë e historisë, ngjarjeve të njëpasnjëshme, që e kanë shoqëruar të gjithë krahinën e shquar për qëndresën historike, kundër ushtrive mizore turke dhe ish-kolonizatorëve serbë. Freskia e ndërtesës alpine, ndërtuar nga të parët e Jakajve, edhe sot ruan konturet e stilit të vjetër alpin, por se ajo është ndërtuar në fillim të shekullit XX. Frengjitë dhe dritaret e ajrosjes, gjenden në të dy katet e saj, duke i dhënë një emër të mirë në të gjithë krahinën e Lugut të Drinit, sëbashku me kullën e njohur të Fanës së Prek Shtjefinit.
Nga burimet e hershme historike të kohës, shohim se kjo kullë, ka qenë përherë një derë bujare për miqtë dhe vizitorët e shumtë të krahinës dhe përtej saj. Aty kanë gjetur streh, mirëpritje dhe bujari fisnike shqiptare bijtë më të mirë të çetave nacionaliste, që me pushkë në dorë i kanë dol zot fateve të atdheut.


Dera e njohur e familjes së madhe të Jakajve

Nga kujtimet e  të parëve në odat e moçme të burrave dhe nga ato që më ka treguar babai im, mësojmë se Kulla e Jakajve, ka qenë e përbërë nga shumë antarë, një familje tipike shqiptare, që asokohe në histori janë quajtur familje patriarkale. Ata sëbashku kanë jetuar në të dy katet e kullës, dhe meshkujt e shumtë, janë marrë me administrimin e saj, punët e bujqësisë dhe blegtorisë, kullotjen e dhenve dhe bagëtive të tjera në male dhe stane gjatë stinës së verës në kullotat e pasura alpine. Ndërsa vajzat dhe gratë si amvise të mira, kanë mbushë ujë me pagure në burimet e afërta, kanë gatuar dhe sistemuar shtëpinë sapo djemtë janë nisur në punë. Shpesh djemtë dhe burrat e familjes, kanë shkuar në qytet për të bërë tregti dhe blerë sendet e nevojshme për kullën, kanë marrë pjesë në gëzimet dhe hidherimet e miqve dhe dashamirësve të tyre.
Mikëpritja kjo traditë e moçme shekullore e shqiptarëve, është përcjellë brez mbas brezi edhe në derën e madhe të Kullës së Jakajve. Aty kanë gjetur bujarinë, besën, burrërinë, traditat dhe zakonet tipike shqiptare shumë njerëz të shquar të Kosovës, të cilët, janë pritur dhe përcjellë sipas zakonit nga familja e Jakajve dhe posaçërisht nga i zgjedhuri i familjes patrioti i palodhur Pjetër Jaku (1898-1945) me vëllezër, i cili, edhe u pushkatua nga pushteti sllavo-komunist në Kullën e Popit në Burim (Istog) në janarin e ftohtë të vitit 1945, me shumë burra të zgjedhur të Kosovës martire.

Ardhja e dhunshme e komunistëve në pushtet

Duhet thënë, se në periudhën historike të viteve 1944-1950, kur lëvizjet antikomuniste dhe antisllave ishin të vazhdueshme nëpër male me mbi 50 çeta nacionaliste, që vepronin askohe në Kosovë, vala e reprezaljeve shfarosëse ose shkombëtarizuese të pushtetarëve të rinj sllavo-komunistë ishte e pamëshirshme ndaj luftëtarëve dhe familjeve të tyre që me sakrifica i mbështeshnin ato nëpër male.
Ardhja e çetnikëve të kriminelit të famshëm antishqiptar Drazha Mihajloviç, mbi të cilin rëndojnë krimet çnjerëzore kundër popullsisë së pafajshme shqiptare në Kosovë, e bëri më të fortë rezistencën e nacionalistëve dhe antikomunistëve shqiptarë në Kosovë.
Çdo ditë kishte vrasje dhe krime, që çetnikët e përbindshëm sllav bënin mbi familjet shqiptare në Lugun e Drinit, duke mbërritur edhe në Kullën e Jakajve të Ranocit.
Çetnikët serbë, me ardhjen e pushtetit të tyre komunist i rruan mjekërrat e në ballë vuan yllin komunist të diktatorëve të rusisë bolshevike. Një nga ngjarjet më të shëmtuara dhe krimeve kundër njerëzimit, ka mbetur e shënuar në analet e historisë dimri i vitit 1944 dhe fillimi i vitit 1945, kur në muajin janar çetnikët iu vërsulën shtëpive shqiptare dhe nxorën prej atyre qindra burra më të mirë të vendit dhe i pushkatuan në Kullën e Popit në Burim (Istog). Nga familja e Jakajve u pushkatua pa gjyq kryetari i familjes Pjetër Jaku, i cili, qysh herët me shumë burra të shquar të Lugut të Drinit kishte ranë në sy të çetnikut kriminel Radosh Toshiçi.
Familja e madhe e Jakajve, mbeti nën drejtimin e vëllaut të Pjetrit, Ndue Jakut (1896-1948). Për Nduen filluan ditë të vështira, angazhimi për drejtimin e familjes së madhe dhe gjakmarrja (hakmarrja) për vëllain Pjetrin, i cili, ishte asgjesuar me urdhërin e çetnikut kriminel Radosh Tashiqit, që ishte shumë afër me fshatin Ranoc, ku jetonte familja Jakaj dhe Koshi, që ishte katundi i ngjitur me Ranocin, ku jetonte kryeçetniku Radosh.
Në fillim të vitit 1945, shumë burra trima të Lugut të Drinit rrokën pushkët, kundër pushtetit sllavokomunist me në krye legjendën e trimërisë patriotin e madh Ndue Përlleshin, i cili, la detyrën e kryetarit të komunës në Budisalcë dhe me vëllezërit e tij Zefin e Hilin e me shumë të tjerë rrokën pushkët dhe u nisën drejt maleve të lirisë, për të luftuar kundër çetnikëve serbë.


Pjesëtarët e familjes Jakaj, ishin miq me luftëtarin e lirisë Ndue Përlleshin. Kushëriri i parë i Ndout Pren Perlleshi, kishte martuar vajzën e Ndue Jakut, Marqen. Gjithashtu edhe bashkëluftëtari i Ndue Përlleshit Shaban Dema, ishte martuar për vajzën e Pjetër Jakut, Tonen. Atdhetari Pjetri, mizorisht ishte pushkatuar nga sllavokomunistët në Kullën e Popit në Burim.
Ndue Jakaj u kishte hapur dyert e kullës së njohur antarëve të lirisë të çetave nacionaliste dhe gjithnjë ishte i gatshëm për t’i funizuar me armë, veshmbathje, ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme. Në të njëjtën kohë kishte ndërhyrë tek miqtë e tij të shumtë, që t’ua hapnin me bujari dyert e shtëpive dhe t’u ndihmonin sa të kenë mundësi çetave vullnetare nacionaliste shqiptare, që kishin rrokur pushkët, për çlirimin e vendit nga pushtuesit serbokomunist.
Një mbrëmje në kullën e Jakajve, ku ishte strehuar luftëtari i lirisë antikomunisti Ndue Përlleshi (1908-1949) me çetën e tij, ishte diskutuar çështja e hakmarrjes. Dhe vetë Ndue Jaku me antarë të tjerë e kishte vënë në shënjestër Radosh Toshiqin si armikun më të madh për familjen e tij dhe Lugun e Drinit në përgjithësi.
Nuk kaloi shumë kohë e çeta e Ndue Përlleshit, në orët e vona të mbasditës në katundin Kojavç e vret Radosh Toshiqin, i cili, është duke u kthyer nga komuna e Burimit. Në gjoks i lë të vrarit një letër, ndër të cilat, kishte shkruar fjalët:
“U ban shum t’fala Pjetër Jakut me shok.
Grup i Rezistencës Antikomuniste
 “Dora e Zez.”

Komunistët të hidhëruar e detyrojnë popullin me forcë, që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të kriminelit çetnik Radoshit. Në ceremoninë mortore, ishte e pranishme edhe vajtorja e njohur e Lugut të Drinit Liza e Prend Nikoll Mrijaj nga katundi i Pataqanit.
Njëri nga drejtuesit e ceremonisë, që ishte edhe mik i serbit të vrarë, i afrohet ngadalë vajtores e i lutet, që të thotë diçka për personin e vrarë. Vajtorja, që i njihte shumë mirë krimet, që ai gjatë jetës së tij si funksionar i lartë (i pushtetit lokal në kryeqendrën e komunës së Burimit) kishte bërë në krahinë (si: burgosje, vrasje pa gjyq, angazhime në punë të detyrueshme pa pagësë (vullnetare), sekuestrimin e pasurisë së patundshme dhe u ka marrë të dhetat gjoja për shtetin komunist, që po lindte në ato vite, tortura çnjerëzore mbi popullsinë e pafajshme etj., sëbashku me shumë bashkëpunëtorë të tjërë, si: Mirk Popi, Ruzha Rajçeviqin, etj.), mbasi merr frymë thellë, me një urretje dhe indinjatë të akumuluar gjatë viteve, ajo fillon të vajtoj kështu:
“O Radosh, o djal i ri,
nanat shkina po t’çajn mbi krye,
asnjiher t’i s’ke kujtu
vendin ton per me ndihmu!
Thirr na i ke t’part e vendit,
i ke thirrun me nga nji leter,
me pas dit se shkojn e jesin (mbesin)
kishin marr nga nji far haleti (armë),
sa me i marr hakun vedit.
Krejt Istogut me ia qit flaken,
s’merret gjaku i Pjetër Jakut!
Me ia qit fkalen krejt Istogut,
S’mirret gjaku i Llesh Gjonit!…”

Fjalët surpizë të vajtores dhe letra e patriotit të përbetuar antikomunist e antisllavit Ndue Perlleshit mbi gjoksin e Radoshit të vdekur, krijuan një indinjatë të madhe tek përfaqësuesit sllavokomunist çetnik, që ishin të pranishëm aty.
Ky inat çetnik u zhbraz me tërbim dhe pamëshirshëm mbi familjen Jakaj dhe Perlleshi. Mbi Ndue Jakun çetnikët sllavokomunist bënë tortura ç’njërzore, ku si pasojë e këtyre ndeshkimeve fizike vdiq në moshën 52-vjeçare më 18 fror 1948, duke lënë mbrapa gruan dhe tre djemtë: Tunen, Martinin dhe Tomën dhe katër vajzat: Janen, Margjen, Mricën dhe Marin.




Foto:
1. Ndue Jaku (1896-1948)
2. Kryetari i Komunes Ndue Perlleshi (mes) me xhandarret e tij ne Bec te Gjakoves ne vitin 1943

 


 
 








Comments
Add New Search
+/-
Write comment
Name:
Email:
 
Website:
Title:
UBBCode:
[b] [i] [u] [url] [quote] [code] [img] 
 
 
:angry::0:confused::cheer:B):evil::silly::dry::lol::kiss::D:pinch:
:(:shock::X:side::):P:unsure::woohoo::huh::whistle:;):s
 
Please input the anti-spam code that you can read in the image.

3.23 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

 
< Prev   Next >