Duke perkthyer kryevepren e Fishtes "Lahuta e Malcķs" ne anglisht me titullin "The Highland Lute" PDF Print E-mail
Written by jozef martini   
Wednesday, 17 September 2008

Duke perkthyer kryevepren e Fishtes "Lahuta e Malcís" ne anglisht me titullin "The Highland Lute"

Janice Mathie-Heck

Publikue ne albanovaonline.com me 19.11.2005


Duke perkthyer kryevepren e Fishtes "Lahuta e Malcís" ne anglisht me titullin "The Highland Lute"

Janice Mathie-Heck

Para një muaji në Londër doli nga shtypi “Lahuta e Malcís” e përkthyer anglisht nga studiuesit kanadezë Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck.




Para një muaji në Londër doli nga shtypi “Lahuta e Malcís” e përkthyer anglisht nga studiuesit kanadezë Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck. Me rastin e botimit të pesë këngëve të para, dy vjet të shkuara, patëm mundësinë të zhvillonim një intervistë me z. Robert Elsie-n. Kësaj herë i kërkuam bashkëpunëtores së tij, znj. Mathie-Heck, të na tregonte diçka më hollësisht mbi mënyrat, vështirësitë e përkthimit dhe vlerat e poemës epike “Lahuta e Malcís” në gjuhën angleze.
Janice Mathie-Heck ka lindur në Xhasper, Alberta, Kanada në 1950. Është mësuese, poeteshë, përkthyese, botuese dhe kritike letrare. Artikujt dhe vjershat e saj janë publikuar në organet e shtypit si: “The Gauntlet”, “Freefall”, “Le Chinook”, “Filling Station”, “Jeta e re”, “Illyria” si edhe në revistën shkodrane “Phoenix”. Është bashkëautore e përkthimit shqip të “Këngëve të kreshnikëve” nga Robert Elsie, me të cilin bashkëpunon në prezantimin, përkthimin dhe promovimin e letërsisë shqipe në botë.

A.M.




DUKE PËRKTHYER KRYEVEPRËN E FISHTËS “LAHUTA E MALCÍS” NË ANGLISHT ME TITULLIN “THE HIGHLAND LUTE

Nga Janice Mathie-Heck

Që të dy Robert Elsie dhe unë jemi shumë të kënaqur me faktin sesi “Lahuta e Malcís” tingëllon në anglisht. Ishte e rëndësishme për ne të krijonim një atmosferë epike të ngjashme me atë të epikave të tjera europiane si për shembull “Beowulf” (Angli), “Kalevala” (Finlandë), dhe me poemat e mëdha mesjetare të shekullit XI dhe XII si “Kënga e Rolandit” (Francë), “Nibelungenlied” (Gjermani) dhe “Poemën e Sidit” (Spanjë). Ritmikisht “Lahuta e Malcís” është tepër e ngjashme me poemën epike “Hiawatha” të shkrimtarit amerikan Henry Wadsworth Longfellow, pjesë të së cilës mua më pëlqente t’i recitoja kur isha vajzë e re.
Sigurisht, Fishta shkruante në gjuhën gegërishte të Shqipërisë së Veriut, e cila ishte gjuha e tij amtare dhe natyrale. Ishte i ndikuar thellësisht si nga tradita epike gojore e kulturës së vet ashtu si edhe nga epika greke a latine si për shembull “Iliada”, “Odisea” dhe “Eneida”. Gjithashtu çmonte epikën nacionale malaziase “Kunora e Maleve” të Njegoshit (1847). Unë besoj se ai ishte i ndërgjegjshëm se po ruante përmasat historike dhe gjuhësore të epokës në të cilën ngjarjet e përshkruara në “Lahutën e Malcís” ndodhën, që është pjesa e fundit e shekullit XIX dhe e para e shekullit XX, nga 1862 deri në 1913.
Ai gjithashtu e ndjente se gegërishtja ishte përfekte si një gjuhë letrare. Sikur dialektet angleze, edhe gegërishtja është zhvilluar gjatë viteve dhe fjalët origjinale të Fishtës janë të vështira për t’u kuptuar nga disa lexues shqiptarë sot. Për ilustrim, kur i hedh një shikim tekstit origjinal të Beowulf-it, është pothuajse e pamundur të deshifrohet, tekst që u rishikua kohët e fundit me shumë sukses nga Seamus Heaney nga Irlanda, fitues i çmimit Nobel për letërsinë në 1995. Detyra jonë me përkthimin e Lahutës ishte ta bënim gjuhën aktuale dhe të kuptueshme për lexuesin modern duke ruajtur në të njëjtën kohë sensin kuvendtar, arkaik, të madhërishëm dhe heroik i cili krijon një ndjenjë të fortë të së kaluarës. Një sfidë e vërtetë!
Ne kemi përkthyer shumë figura letrare që i përkasin vetëm gegërishtes, dhe bëmë sa mundëm për të përshkruar simbolet e mitoligjisë shqiptare dhe legjendave si për shembull orët, zanat, dragojt dhe kulshedrat. Mbajtëm ritmin tetërrokësh të rregullt gjithandej, si dhe ruajtëm veçoritë e përbashkëta për të gjitha epikat: aliteracionin, asonancën, përsëritjen, hiperbolën, përshkrimet konkrete, ngjyrat, dramën, pasionin, një sërë emocionesh, intensitetin, sensualitetin, veprimet, rimën aty ku ishte e mundur dhe një ton të ekzaltuar dhe të madhërishëm.
Kemi treguar kujdes të mbajmë tekstin interlinear, domethënë një vargu në anglisht t’i përgjigjet një varg në shqip. Kjo është një poemë epike monumentale kushtuar popullit shqiptar. Është një këngë lirike kushtuar tokës, një këngë gjaku dhe beteje, një këngë e livadheve të bleruara dhe e të hijshmeve zana të zgjuara, dhe ne menduam se meritonte të tregohej në frymën e atij që e lindi, me gjithë atë ngarkesë të thellë emocionale dhe atë sens të plotë për aventura dhe dashuri që Fishta zotëronte!
Është padyshim një vepër klasike, por në të njëjtën kohë vjen e gjallë për lexuesin në gjuhën e sotme të pasur e të larmishme angleze. Mua më duket frymëzuese dhe përqethëse, veçanërisht kur lexohet me zë të lartë.
Fishta ngazëllehej me traditën gojore epike shumëshekullore të malësorëve shqiptarë të veriut. Ai jetoi në zonën e Shkodrës dhe pati mundësi të dëgjonte rapsodët e legjendave duke ekzekutuar për orë të tëra në lahutat e tyre me një tel. U bë mik në veçanti me njërin, Marash Ucin, i cili pat luftuar në betejën e Urës së Rrzhanicës, dhe historitë e plakut e ndezën flakë imagjinatën e Fishtës për të kapur maja edhe më të larta.
Sipas meje Fishta do të ishte bërë vetë një luftëtar sikur të mos kishte zgjedhur të bëhej meshtar! Ai ishte i apasionuar mbas historisë dhe ngazëllehej në përshkrimin e skenave të betejave heroike dhe të ndeshjeve të luftëtarëve të fiseve shqiptare për të ruajtur nderin e tyre dhe për të mbrojtur atdheun e tyre. Donte që lexuesit e tij të ishin të ndërgjegjshëm për ligjet e veçanta dhe zakonet e Malsisë siç janë të mishëruara në “Kanunin e Lekë Dukagjinit”. Në “Lahutën e Malcís” përshkroi gjallërisht sistemin shoqëror, strukturën patriarkale, konceptin e besës apo të mbajtjes së fjalës, traditën e mikpritjes dhe kodin e gjakmarrjes.
Malsorët kishin mbajtur kulturën e tyre të paprekur pavarësisht se kishin kaluar pesë shekuj të sundimit otoman, dhe Fishta i shihte si modele të pashisë dhe të guximit. Ata ende po jetonin, në kuptimin letrar dhe artistik, në një kështjellë, e cila, Fishta e dinte se do të ndërronte nën ndikimin evropian. Ai ishte impenjuar thellësisht për lirinë dhe pavarsinë e vendit të vet, dhe kishte jetuar në një kohë kur kishte patur shumë përleshje kufitare, komplote, plane dhe intriga ushtarake mes turqëve dhe sllavëve (malazezve) që nxitnin reagimin e shqiptarëve, në veçanti të banorëve kreshnikë të maleve të thepisura.
Edhe pse botimi i këngës së parë të Lahutës (“Te Ura e Rrzhanicës”, Zarë, Kroaci, 1905) doli sak 100 vjet më parë, krejt poema ka domethënie universale.
Unë jam mësuese e anglishtes e kanadezëve të rinj. Siç mund ta dini, Kanadaja është një vend multikulturor i cili respekton larmitë gjuhësore, etnitë dhe fetë. Në këtë kontekst unë do t’u thoja studentëve të mi se tokat shqiptare përgjatë shekujve ishin sulmuar dhe plaçkitur nga grupe të ndryshme etnike. Njerëzit u përpoqën gjithmonë të mbronin vetëveten, me një farë suksesit, kundër pushtuesve.
Në një mënyrë apo në një tjetër fiset shqiptare veriore ia dolën të ruanin kulturën e tyre dhe sensin e personalitetit edhe gjatë sundimit të zgjatur të perandorisë osmane. Ashtu si Fishta, ata ishin optimistë. Kishin një shpirt të fuqishëm dhe besimplotë. Unë mendoj se Fishta u frymëzua nga sensi që ata kishin për nderin, drejtësinë dhe trimërinë. Ishte një atdhetar krenar dhe e vështronte Shqipërinë si një komb të rrezikuar, i cili donte të zinte vendin e vet përkrah kombeve të tjera të pavarura të Europës.
Pse e shkroi këtë poemë epike? Donte të theksonte kuptimin e një identiteti kolektiv. Njohuritë mbi historinë të ruajtura përmes letërsisë sonë, na mundësojnë të të bashkëndajmë idetë dhe idealet tona ndërsa nxëmë nga, dhe simpatizojmë idetë dhe idealet e të tjerëve në bashkësinë botërore. Kështu njihemi me shumë heronj edhe frikacakë.
Duke lexuar se çfarë kanë bërë njerëzit shumë kohë përpara në toka shumë të largëta e pasuron perspektivën tonë dhe na jep modele dhe mundësi zgjedhjeje, si të mira ashtu edhe të këqija, sesi ne mund të jetonim. Ky sens i përvojave të përbashkëta na çon mbrapa në fillimet e civilizimit dhe i kapërcen të gjitha pengesat kulturore.
Të qenit të ndërgjegjshëm për ngjashmëritë dhe ndryshimet mes nesh, na ndihmon ne të njohim vetëveten dhe të tregohemi tolerantë ndaj të tjerëve. Zbulojmë trashëgiminë tonë, rrënjët tona (prej nga ne vijmë) dhe sesi gjuha dhe kultura janë zhvilluar përgjatë shekujve. Shpresohet se ne mund të marrim shumë mësime nga e kaluara dhe se nuk do të përsërisim gabimet e stërgjyshërve tanë. E në fund të fundit edhe nxëmë sesi të jetojmë së bashku. Në të gjitha këto kuptime, “Lahuta e Malcís” e Fishtës është e përjetshme.


7 nëntor 2005
Kalgari, Alberta
Kanada

Përktheu: Arben Marku (Ndreca)

Comments
Add New Search
+/-
Write comment
Name:
Email:
 
Website:
Title:
UBBCode:
[b] [i] [u] [url] [quote] [code] [img] 
 
 
:angry::0:confused::cheer:B):evil::silly::dry::lol::kiss::D:pinch:
:(:shock::X:side::):P:unsure::woohoo::huh::whistle:;):s
 
Please input the anti-spam code that you can read in the image.

3.23 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

 
< Prev   Next >