Disa mendime dhe pėrcaktime rreth gjuhės sė sotme zyrtare shqipe PDF Print E-mail
Written by jozef martini   
Saturday, 06 September 2008

Disa mendime dhe përcaktime rreth gjuhës së sotme zyrtare shqipe

Hans-Joachim Lanksch

Publikue ne albanovaonline.com me 13.5.2004


Disa mendime dhe përcaktime rreth gjuhës së sotme zyrtare shqipe

Hans-Joachim Lanksch



Cosi ne mio parlar
Voglio esser aspro



Përkitazi me rishikimin e çështjes së gjuhës së njësuar kam shkruar kohë më parë gegënisht1, kësaj here e përdor gjuhën e njësuar për të treguar, nga një anë, se nuk jam – siç mund të supozohet – një shovenist i përbetuar dhe i papërmirësueshëm i gegënishtes, edhe për të treguar, nga ana tjetër, se nuk e konsideroj se gjuha e Fishtës është më e mirë se gjuha e, bie fjala, Lasgush Poradecit (edhepse duhet theksuar se gjuha e Lasgushit, shyqyr zotit, nuk është gjuha e ashtuquajtur e njësuar). Nuk jam gjuhëtar, do të cek disa pikëpamje nga pozita e një „common sense"-it (dmth. me mendtë prej njeriu që ka tru të shëndoshë) të një vëzhguesi të jashtëm me qëllime prej dashamirësi.

Gjuha zyrtare shqipe zyrtarisht definohet kështu:

„GJUHA LETRARE SHQIPE

Varianti më i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar. Ajo përfshin gjuhën zyrtare, atë të letërsisë artistike, të veprave shkencore e mësimore, të shtypit e të publicistikës, të ligjëratave botore etj. Dhe është e normëzuar në të shkruar e në të folur. Formimi i saj është fryti i një procesi të gjatë e të ndërlikuar, i cili fillon që me shkrimet e para shqipe."2

Se sa të pavërteta, se sa shtrembërime të realitetit historik dhe linguistik ka në këtë definicion, mund të verifikohet kollaj me punimet e ekspertëve të gjuhësisë dhe historisë së gjuhës. Sa i përket pretendimit se gjuha zyrtare qenka gjuha „më e përpunuar" – merre në dorë gramatikën (gege) të Martin Camajt3. Sa për „proces të gjatë" – krahaso ligjëratat e Simpoziumit shkodran për Martin Camajn, sidomos shkrimet e David Lukës dhe Artan Haxhit4. Tash ta lëmë anash punën e shkencës dhe të hedhim një sy mbi nocionin e kësaj gjuhe zyrtare resp. mbi elementet e termeve zyrtare të kësaj gjuhe zyrtare.

Gjuha e njësuar: Si mund t’i shkojë mendja njeriut me mend se qenka gjuhë „e njësuar" një gjuhë tek e cila 80% elementesh të një idiome u shtohen 20% elementesh të idiomës tjetër? Termi i drejtë për këtë dukuri nuk është „njësim" por thjesht: pushtim ose nënshtrim.

Gjuha kombëtare letrare: Si mund të quhet gjuhë „kombëtare" idioma e një së tretës së kombit, ndërkaq dy të treta të tjera të territorit shqipfolës flasin atë idiomë, e cila në këtë „gjuhë kombëtare" përfshihet me një përqindje prej 20%?
A mund të pranohet si gjuhë kombëtare një idiomë, e cila i është imponuar dhe urdhëruar me dekret popullit nga klika udhëheqëse dhe ideologët e saj vetëm e vetëm për shkak se ato 80% në fjalë ishin idioma e skutës së vendit, nga vinte diktatori? Gjë aq e paparë sa edhe e pabesueshme!

Gjuha kombëtare letrare: Si mund të jetë gjuhë „letrare" një idiomë, me të cilën gjatë ekzistimit të saj nën sistemin totalitar nuk është shkruar letërsi, por ajo që toskëfolësi i nderuar Kasëm Trebeshina me plotë të drejtë e quajti «shkollën e turpit» për letrat shqipe5? Nëse Ëndërrat industriale, Shqiponjat lartfluturuese, Motivet për eliktrifikimin e përgjithshëm të Shqipërisë, Nënat Shqipëri, Nëntoriadat, Komunistët, Çlirimtarët, Kënetat etj. etj. patën ndonjë funksion në kohën e vet – kënd e interesojnë sot, kënd do ta interesojnë nesër a pasnesër?
Si do t’i quajmë veprat me vlera vërtet letrare që nuk janë shkruar në këtë gjuhë „letrare", psh. veprat e Fishtës, Prendushit, Camajt ose të Luka Peronës, Piero Napoletanos, Kate Xukaros etj.? Folmësi? Proza e shkëlqyeshme (gege) e Anton Pashkut „Oh" – a është joletrare?

Gjuha kombëtare letrare: A është gjuhë apo krijesë artificiale një idiomë, e cila është futur me dhunë pa pasur gjurmë gjurme të një zhvillimi organik dhe pa pasur parasysh asnjë prej kritereve më elementare për vendosjen e një norme gjuhësore resp. të një gjuhe standarde? Dihet se për gjuhë standarde zakonisht merret ndonjë element qendror: mesi gjeografik, pikëprerja gjeografike, qendra administrative (qeveritare) ose kulturore etj. Mirëpo, dihet edhe se as gjuha e një kombi dhe as norma e standardizuar gjuhësore nuk farkëtohet nëpër zyrat e gjuhëtarëve zyrtarë, të cilët „vendosin" se si të flasë ose të shkruajë kombi, por merret parasysh (dhe jo nëpër këmbë) shumështresshmëria e gjuhës: Gjuha mbidialektore italiane, psh. rrënjët i ka te gjuha e avokatëve të Bolonjës, te gjuha e Dantes dhe poetëve të tjerë fiorentinë të mbështetur në të folurit „volgare". Toskanishtja paraqiste mesin gjuhësor në mes të të folmeve veriore dhe atyre jugore.
Letrarishtja gjermane formohej mbi bazën e gjuhës së administratës nëpër zyrat e perandorisë në Pragë dhe qytete të tjera dhe pasurohej jo vetëm me gjuhën e „kolosëve" letrarë gjermanë, J.W. von Goethe dhe F. von Schiller, por kohë më parë edhe me një shtyllë tjetër kryesore zhvillimi – me gjuhën e Martin Luther-it, teologut të dobët dhe përkthyesit të pashoq, i cili për përkthimin e Shkrimit të Shenjtë e formuloi kriterin tepër të rëndësishëm: „dem Volke aufs Maul schauen" – të shikosh se si flet goja e popullit. Kjo na lë të kuptojmë tri pikëpamje të rëndësishme:

a) procesi i formimit të gjuhës letrare gjermane filloi në shekullin e 14 me gjuhën e nëpunësve të kulturuar të kancelarive dhe përfundoi në shekullin e 19 me gjuhën dhe stilin e përsosur të klasikëve të letrave gjermane, proces ky i cili është zhvilluar pesë shekuj dhe jo pesë dekada! Edhe gjuha e përbashkët italiane zhvillohej gjatë.

b) Në këtë proces zhvillimi përfshihej edhe gjuha e folur e popullit! Gjuha kombëtare letrare [tekëndej: KL] me të gjithë të-të-të-izmat e saj – ku e merr parasysh edhe fjalën e gjallë të popullit?

c) Përfshihet edhe gjuha e letrarëve të mëdhenj, gjuha e kolosëve letrarë dhe jo ajo e letrarëve kolosalë. Po të shikohej çështja e formimit të gjuhës standarde edhe tek popujt e tjerë, rezultatet do të ishin të ngjashme: kudo merreshin në konsideratë pikëpamje dhe kritere të arsyeshme dhe të kuptueshme.

Partizanët e skalitur të gjuhës KL ndoshta do të nervozohen për konstatimet e mia naive („indinjatë e thellë dhe e hidhur…", „denigrim i arritjeve të larta…", „vlera të çmuara kombëtare…", „çaste historike…", „…triumfante" etj. etj. etj.) duke më vënë në barrë se në shkrimin tim të mësipërm nuk ka as fije shkence. Mirë e kanë: nuk kam argumentuar shkencërisht – dhe, njëkohësisht, kot e kanë: ceka vetëm fakte, faktet janë të qarta. Fakte të thjeshta paraqiten thjesht dhe nuk duhen prezantuar të shifruara me terminologji shkencore ose me mjegullim pseudoshkencor.

Gjuhën KL nuk e mbrojnë veçse shkrimtarët, hylli i të cilëve është duke perënduar dhe fosile të tjera të periudhës ML brenda dhe jashtë Shqipërisë. Dhe tash – si të procedohet me GjKL, a duhet të ruhet patjetër ky relikt i një periudhe prej Neroni? A të konservohet e keqja vetëm për shkak se disa dekada jemi mësuar me të? Njëzet vjet janë shumë për çdokënd që i ka ndier këto vite në kurrizin e vet duke hequr keq e tukeq – por ç’janë njëzet-dyzet vjet në histori? S’ka njeri që mund të na mbushë mendjen se brenda dy-katër dekadave mund të kryhet një „akt i kryer" (fait accompli) në lëmin e gjuhës, i cili pastaj nuk mund të hiqet.

Ç’na mbetet për të bërë? Më duket se për çështjen e gjuhës së përbashkët do të mund të flitet shkencërisht po të vihet mbi baza shkencore shqyrtimi i kësaj çështjeje dhe kur do të përfillen kërkesat dhe nevojat më themelore të zbatimit kriteresh serioze për trajtimin e një gjuhe të përbashkët. Le t’i cekim vetëm disa asosh:

1) T’i jepet Qezarit se ç’i takon Qezarit – dmth. t’i kthehet gjuhësisë se ç’i përket gjuhësisë ose: gjuha të trajtohet si gjuhë dhe jo si objekt i politikës. Paskajorja s’ka të bëjë me aspiratat e popullit shqiptar, prandaj shqyrtimi i çështjes së gjuhës shqipe t’i kthehet kategorisë së gjuhës dhe të shpëtohet nga frazat politike.

2) Mos të vazhdohet trilli diskriminues i filologjisë zyrtare të periudhës së diktaturës dmth. duhet të ndërpritet degradimi i gegënishtes si „dialekt" dhe të pranohet se gegënishtja ka pasur normën e vet letrare, zhvillimi i së cilës u ndërpre brutalisht gjatë diktaturës.

3) Të konstatohet përbërja e gegënishtes dhe për këtë qëllim të ndërmerren, mes tjerash, këta hapa:

– botimi i plotë dhe studimi i veprave të shkrimtarëve gegëshkrues (Fishta, Prendushi, Shantoja, Nikaj, Palaj, Koliqi, Pipa, Camaj)

– studimi i thesarit gojor i traditës së Veriut („Visaret e Kombit" etj.)

– grumbullimi i materialit të sotëm të folklorit gojor në viset veriore të Shqipërisë

– studimi i gramatikave dhe drejtshkrimeve ekzistuese të gegënishtes (Martin Camaj, Idriz Ajeti etj.)

– përpilimi dhe botimi i një fjalori geg.

4) Pastaj mund të fillohet formimi i normës letrare të gegënishtes.

5) Të gjitha këto masa të bëhen, përkatësisht, edhe për toskërishten (studimi i pasurisë së traditës popullore dhe letrare; botimi kritik i veprave të mjeshtërve të letrave toske pa „përshtatje" ose „ndërhyrje" në gjuhën e Naimit, Kutelit, Lasgushit, Trebeshinës; regjistrimi i gjendjes së sotme të të folurit toskë) për të shikuar për toskërishten a është vërtet aq rigide dhe skematike dhe a mund të qëndrojë standardi i saj ashtu siç na sugjeron gjuha KL?

6) Po të jenë ndërmarrë këta hapa, toskërishtja dhe gegënishtja do të jenë në pozita të barabarta dhe atëherë mund të fillojë procesi i shkrirjes së një gjuhe të përbashkët, me shkrirjen e dy normave letrare të shqipes në një gjuhë, e cila nuk do të ketë nevojë më për epitete të çuditshme si e „njësuar", „e sotme", „kombëtare letrare", për shqipen do të mjaftojë një emër i vetëm – thjesht, shqip e troç: gjuha shqipe.
Dhe do të jetë një shqipe shumëfish e pasuruar!

7) Pas shkrirjes së vërtetë e të natyrshme të të dyja normave, duhet patjetër që në suazë të standardit të shqipes (së shkrirë nga normat letrare toske e gege) të lejohet dhe mundësohet shfrytëzimi sa më i gjerë i gjithë pasurisë leksikale, idiomatike, frazeologjike të jugut e të veriut. Atherë do të dalë në shesh se, bie fjala, gegënishtja nuk mund të konceptohet si gjuha KL plus ca modifikime a ndryshime të vogla fonologjike (varr_vorr, grua_grue, zë_zâ, vështirësira_fshtirësina) a morfologjike (të jetoj_me jetue, po të kishte vënë_me vû etj.), gjithashtu idioma e jugut nuk mund të jetë toskërishtja e plotësuar me paskajoren tek ka vend edhe „vêni" në vend të „vëndi".

Në këtë mes është me vend një vërejtje përkitazi me qëndrimin e kosovarëve ndaj çështjes së gjuhës që e përziejnë me çështjen kombëtare. Për t’i shpëtuar trysnisë së padurueshme të regjimit të serbëve çetnikë, ata e pranonin dhe pranojnë – pa ndonjë kriter serioz, përpos atij politik nga pikëpamja e kombëtarizmit – çdo gjë që u vinte dhe u vjen nga mëmëdheu, qoftë kjo letërsia e cekët dhe puthadore e Realizmit Socialist, qoftë edhe gjuha e farkëtuar artificialisht dhe e imponuar përdhunësisht KL. Njeriu i rëndomtë në Kosovë arrin te një gjuhë fare hibride, dmth. te një idiomi „kosovarishtja plus -uar": „ka shkuar me kerr", shpeshherë mund të hasësh në raste ekstreme si: „kshtuar asht ba". Shkrimtarët e Kosovës krijimet e veta të shkruara para importimit të gjuhës së njësuar KL, vullnetarisht ia kanë „përshtatur" asaj të fundit; përshtatje kjo e cila ishte diç artificiale dhe e përciptë, sepse jo vetëm na paraqet rimë të tipit „la"/„më", por na qet edhe një njësuarishte KL, së cilës i vjen era e gegënishtes.

E di çdokush që flet ose shkruan në dy ose më shumë gjuhë a ligjërime: nëse është i zoti të mendojë në idiomën tjetër, atëherë do të arrijë edhe te rezultate e formulime të tjera, te tjetër tekst, sepse idiomet e ndryshme me tiparet e tyre specifike na ofrojnë mundësi të ndryshme specifike dhe po të shfrytëzohen këto mundësi si dhe sa duhet, vetë materiali gjuhësor na e çon mendimin në rrugën më vete, folësit a shkruesit i shkojnë ndër mend asociacione, nënkuptime, nënshtresa, stërhollime etj. që nuk gjenden ne rezervuarin e tipareve shprehëse a strukturore të idiomës së tij të parë. Nëse nuk mendon në binarët e veçorive të idiomës përkatëse, atëherë mund lirisht ta përkthejë psh. toskërishten gegënisht sipas kallëpit „toskërishte në petkun fonologjik dhe morfologjik gegë" (dhe anasjelltas), pa marrë parasysh specifikën e begatë të sintaksës, idiomatikës, frazeologjisë dhe prozodisë gege si dhe asaj toske!

Në fund të mbetemi me një shpresë: të mos përsëritet te shqiptarët fati tejet i trishtueshëm i serbëve dhe kroatëve, të cilët shekullin e kaluar, në një fazë entuziazmimi të përbashkët për idetë e „ilirizmit" ishin marrë vesh për një gjuhë të unifikuar „Serbokroatishte" me nga një varietet (serb dhe kroat). Në vitet ’70 të këtij shekulli u ngjall, më në fund, nacionalizmi kroat aq sa iu kundërvu hegjemonisë politike dhe gjuhësore serbe („Serbokroatishte") me KROATOserbishten. Njëzet vjet më vonë, serbët flasin serbishten e tyre siç e flisnin qe një shekull e gjysmë, ndërsa kroatët bëjnë çmos dhe orvatën ta „horvatizojnë" sa më shumë kroatoserbishten e deridjeshme me çdo lloj neologjizmash, paleologjizmash, kroatizmash etj.


___________________________________________

1. „Gabim – ose ndërdyzash? Poezia arbëreshe dhe njësuarishtja", në: Quo vadis, Shqipëri? Antologji e përgatitur nga Ardian Klosi, Tiranë, München, 1993.

2. Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985 (f. 350).

3. Martin Camaj, Albanian Grammar, Wiesbaden, 1984.

4. Martin Camaj – tradita dhe bashkëkohësia, Simpozium, Universiteti i Shkodrës, Shkodër, 1994.

5. Intervistë me shkrim, më 25.05.1994 (e intervistoi H.-J. L.) akoma e pabotuar.

___________________________________________

Revista Djaleria e Vjenes

Comments
Add New Search
+/-
Write comment
Name:
Email:
 
Website:
Title:
UBBCode:
[b] [i] [u] [url] [quote] [code] [img] 
 
 
:angry::0:confused::cheer:B):evil::silly::dry::lol::kiss::D:pinch:
:(:shock::X:side::):P:unsure::woohoo::huh::whistle:;):s
 
Please input the anti-spam code that you can read in the image.

3.23 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

 
< Prev   Next >